Skip to content

Udhëzuesi për Hartimin e Raportit Jofinanciar

UDHËZUES
PËR
PËRGATITJEN E RAPORTIT JOFINANCIAR

(metodologjia për raportimin e informacionit jofinanciar)

(Në zbatim të nenit 18 të Ligjit 25, datë 10.05.2018
“Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”)

Ligji 25, datë 10.05.2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, hyri në fuqi në 1 janar 2019. Ligji i ri i kontabilitetit përafron Direktivën e Kontabilitetit 2013/34/BE kryesisht në çështjet e klasifikimit të njësive ekonomike dhe grupeve si dhe në kërkesat për përgatitjen e raportit të ecurisë së veprimtarisë, raportit jofinanciar dhe raportit të drejtimit të brendshëm. Gjithashtu ligji i ri ka përmirësuar dhe disa kërkesa lidhur me publikimin e raporteve financiare dhe jofinanciare.

Një transparencë më e madhe pritet t’i bëjë njësitë më elastike dhe të performojnë më mirë, në aspektin financiar dhe jo-financiar. Me kalimin e kohës kjo do të çojë në një rritje të biznesit dhe punësimit si dhe rritje të besimit midis palëve të interesuara, përfshirë investitorët dhe konsumatorët. Menaxhimi transparent i biznesit është gjithashtu në përputhje me synimin për investime më afatgjata.

Kërkesat e dhënies së shënimeve shpjeguese për informacion jo-financiar zbatohen për disa njësi të mëdha me më shumë se 500 të punësuar, pasi kostoja e detyrimit të njësive të vogla dhe të mesme për t’i zbatuar ato mund të tejkalojë përfitimet.

Njësive u kërkohet të japin informacione të rëndësishme e të dobishme, të nevojshme për të kuptuar zhvillimin e tyre, performancën, pozicionin dhe ndikimin e veprimtarisë së tyre dhe jo një raport shterues e të hollësishëm. Për më tepër, shënimet shpjeguese mund të ofrohen në nivel grupi dhe jo nga secila njësi ekonomike, filial brenda një grupi. Direktiva gjithashtu u jep njësive fleksibilitet të konsiderueshëm për ta dhënë informacionin përkatës, në mënyrën që ata e konsiderojnë më të dobishëm, të përfshirë në një raport të veçantë.