Statusi dhe Detyrat
LIGJ
Nr. 25/2018
PËR KONTABILITETIN DHE PASQYRAT FINANCIARE
Neni 24
Statusi dhe Detyrat
1. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit është organizëm profesional publik i pavarur dhe gëzon personalitet juridik.
2. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit ka për detyrë:
a) të hartojë standardet kontabël kombëtare, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe në koherencë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.
Nëse për arsye të legjislacionit dhe të praktikave kontabël, brenda vendit, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit e shikon të nevojshme që të shmanget nga zbatimi i disa standardeve ndërkombëtare, ai e ka autoritetin që ta bëjë një gjë të tillë, vetëm pasi të shpjegojë dhe të justifikojë arsyet e këtij veprimi, pa cënuar kërkesat e përcaktuara në nenin 3, pika 4, të këtij ligji;
b) të përpunojë një sistem kontabël, ku, përveç standardeve kombëtare të kontabilitetit, të përcaktojë rregullat për mbajtjen e kontabilitetit, si dhe formatet për pasqyrat financiare;
c) të evidentojë nevojat dhe të propozojë zgjidhjet për përmirësimin e metodave kontabël për mbajtjen e kontabilitetit dhe për kualifikimet;
ç) të interpretojë dhe të përgjithësojë problemet që dalin nga praktika dhe standardet kontabël, të cilat i paraqet në formën e udhëzimeve kontabël;
d) të shqyrtojë dhe të japë mendime për të gjitha projektligjet dhe projektaktet nënligjore, rregulluese, të cilat përmbajnë dispozita për kontabilitetin, për përgatitjen e llogarive, që lidhen me njësitë ekonomike, subjekte të këtij ligji, si dhe me profesionet me bazë kontabilitetin;
dh) të vendosë marrëdhënie me organizata profesionale vendase e të huaja dhe të marrë pjesë në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare për kontabilitetin;
e) të publikojë në faqen zyrtare të institucionit Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, të detyrueshme për zbatim. Gjithashtu, ka të drejtën të publikojë edhe materiale të tjera, jo të detyrueshme për zbatim, me karakter dhe qëllim informues, në funksion të mbajtjes së kontabilitetit dhe hartimit të pasqyrave financiare;
ë) të botojë Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe materiale të tjera për zbatim në lidhje me këto standarde;
f) të monitorojë zbatimin e standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar;
g) të organizojë tryeza të rrumbullakëta, seminare, konferenca dhe të tjera të ngjashme me to, me qëllim rritjen e transparencës përmes përfshirjes së palëve të interesit në procesin e përmirësimit të raportimit financiar, informimin e palëve të interesit për zhvillimet në këtë fushë, si dhe nxitjen e zbatimit korrekt të SKK-ve/SNRF-ve nga njësitë ekonomike.