Rekomandimi për Hartimin e Raportit te Drejtimit të Brendshëm
REKOMANDIM
MBI
CILËSINË E RAPORTIT TË DREJTIMIT TË BRENDSHËM
TË NJËSIVE EKONOMIKE
PËR KODIN E DREJTIMIT TË BRENDSHËM
‘pajtueshmëri ose shpjegim’
(Dhjetor 2020)
SEKSIONI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij dokumenti është të sigurojë udhëzime për organizmat përgjegjëse për kodet kombëtare të drejtimit, për njësitë ekonomike dhe palët e tjera të interesuara. Udhëzimi synon të përmirësojë cilësinë e përgjithshme të raportit të drejtimit të brendshëm të publikuar nga njësitë ekonomike me interes publik në përputhje me nenin 19 të ligjit 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe veçanërisht, cilësinë e shpjegimeve të dhëna nga njësitë ekonomike në rastet kur janë shmangur nga rekomandimet e Kodit përkatës të drejtimit të brendshëm.
2. Rekomandohet që, kur është e zbatueshme, raporti i drejtimit të brendshëm të njësisë ekonomike me interes publik të bëjë një dallim të qartë midis pjesëve të kodit të drejtimit të brendshëm nga të cilat njësia ekonomike nuk mund të shmanget, pjesët që aplikohen në bazë të parimit ‘pajtueshmëri ose shpjegim’ dhe atyre që aplikohen thjesht në baza vullnetare.