Njoftim për shtyp

Kujtesë mbi zbatimin e ligjit "Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare"

Kujtesë mbi zbatimin e Lgjit “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2011, ushtroi kontroll në disa njësi ekonomike lidhur me mbajtjen e kontabilitetit dhe hartimin e pasqyrave financiare. Nga kontrolli rezultoi se shumë njësi ekonomike nuk zbatojnë korrektësisht Ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”. Mos zbatimi korrekt i ligjit të mësipërm nga njësitë ekonomike, përveç të tjerash, vjen edhe nga mosnjohja e tij. Meqenëse jemi në periudhën e përgatitjes së Pasqyrave Financiare për vitin ushtrimor 2011, shohim me vend që të bëjmë një kujtesë të ligjit të mësipërm. Përgatitja e Pasqyrave Financiare do të bëhet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit nga këto njësi ekonomike: a) nga shoqëritë e listuara në një bursë zyrtare letrash me vlerë dhe filialet e tyre, subjekt i konsolidimit të llogarive; b) nga bankat e nivelit të dytë, institucionet financiare, të ngjashme me bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe të risigurimeve, fondet e letrave me vlerë dhe të gjitha shoqëritë e licencuara për të kryer veprimtari investimi në letrat me vlerë, edhe kur ato nuk janë të listuara në një bursë zyrtare letrash me vlerë; c) nga njësi ekonomike të tjera të mëdha, të palistuara në një bursë zyrtare letrash me vlerë, kur ato tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për të ardhurat vjetore dhe numrin e të punësuarve me VKM 742, datë 07.11.2007, pika 2, ku shprehimisht thuhet: Njësitë e tjera ekonomike, të cilat nuk janë objekt i ligjit të sipërpërmendur, do të jenë subjekt i zbatimit të SNK, kur tejkalojnë njëkohësisht, për dy vitet e fundit, këto kufij: 1) Të ardhurat vjetore në shumën 1.250.000.000 lekë; 2) Numri mesatar i të punësuarve, mbi 100 punonjës në vit Të gjitha njësitë e tjera ekonomike duhet të zbatojnë Standardet Kombëtare të Kontabilitetit. Ky grup njësish ndahet në njësitë ekonomike që do të zbatojnë standardet SKK 1 deri në SKK 14 dhe grupin e Mikronjësive që hartojnë Pasqyra Financiare sipas SKK 15. Këto të fundit janë njësitë ekonomike ku punësohen më pak se 10 persona dhe kanë një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Këto kritere duhet të plotësohen për dy vitet e fundit. Përsa i përket mikronjësive me status person fizik dhe që realizojnë xhiro vjetore deri në 2 milion lek, ato do të mbajnë kontabilitetin e thjeshtuar me regjistrim të njëfishtë në bazë monetare. Këto njësi nuk kanë detyrimin të hartojnë pasqyra financiare.